Search

Vegim Rashiti

Shtrenjtimi i sigurimit të automjeteve për 26%

Pse po heshten zërat kundër shtrenjtimit të sigurimit automjeteve për 26% dhe askush prej mediave nuk flet për këtë skandal? Ai sigurim edhe ashtu ka qenë i shtrenjtë dhe s’ka ofru asgjë për atë vlerë, e aq ma pak tash me këtë shtrenjtim absurd për standardin e shoqërisë sonë. Kosovarët do të paguajnë një çmim astronomik më shumë se shoqëritë tjera (me standard më të lartë) dhe në fund kur të dalin jashtë shtetit me vetura, duhet me nxjerrë ekstra edhe kartonin e gjelbër me ekstra kosto.

Çuditërisht mediat tona merren me fshirjen e disa muraleve në lagjen Dardania e jo me këtë shqetësim e problem serioz. Politikanët që kanë gisht në këtë vendim dhe kompanitë e sigurimeve (si përfitues nga e gjithë kjo) ua mbyllin gojën (me para) personave me ndikim dhe i shantazhojnë mediat me mosfinancim dhe ndalje të marketingut për ta heshtur këtë problem.

Këta t’pangopur nuk kanë turp t’përfitojnë nga kjo kosto shtesë që i ngarkohet qytetarit të shkretë edhe ashtu të lodhur nga ky mjerim i këtij vendi e kësaj shoqërie që nuk reagon për asgjë.

Në Kosovë janë rreth 350 000 automjete (që shumica) do të paguajnë mesatarisht rreth 50€ më shumë sigurim, që i bie dhjetëra miliona euro më shumë ‘kulaç’ me u nda mes kriminelëve me një vendim të vetëm.

Është koha e fundit që njerëzit me reagu e me qenë të zëshëm, qoftë edhe me iniciativa për bojkotim dhe mospagesë e mosregjistrim të automjeteve.

R.I.P gazetaria nëse ka pasur ndonjëherë të tillë në Kosovë.

Këto ditë po bëhen 3 muaj nga aplikimi i taksës 100% për produktet serbe. Çuditërisht, edhe 3 muaj pas vendosjes së taksës, shumica e produkteve serbe nuk janë shtrenjtu, ndërsa ato që janë shtrenjtu janë produktet vendore (me arsyetimin se importojnë lëndën e parë nga Serbia).

A po i bjen kjo që bizneset (me politikanët prapa tyre) e kanë ditë sa ka me zgjatë taksa & e kanë stërmbush paraprakisht tregun me produkte serbe që mos me u ndje mungesa e tyre e mos me u ngrit çmimet derisa t’ketë taksë?

Mirë me krejt i thojnë kësaj pune.

Sot, nga 10 shkaktarët e vdekjes në botë, Alzheimer është e vetmja sëmundje e cila nuk mund të parandalohet apo ngadalësohet. Ne e njohim më pak sëmujndjen e Alzheimer se sa sëmundjet tjera sepse për të janë bërë pak hulumtime dhe nuk është investuar sa duhet në kohë dhe para. Çdo vit, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpenzon dhjetë fish më shumë në hulumtimet për kancer se për Alzheimer, përkundër faktit që kjo e fundit kushton më shumë dhe shkakton po aq vdekje sa kanceri çdo vit.

Mungesa e resurseve buron nga një shkak i vetëm dhe kryesor: mungesa e vetëdijesimit.

Foto: sharpbrains

Një video shumë e dobishme rreth sëmundjes së Alzheimer e përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

 

Mosdurimi fetar e racor në sport

Trafiku dhe rendi

10 simptomet kryesore të Alzheimer

Më poshtë po i listojmë 10 nga simptomet kryesore të Alzheimer, por ka edhe gjëra që mund të jetë normale t’i harrojmë, andaj nuk duhet ngatërruar dhe shqetësuar veten pa nevojë nëse ndonjëherë harrojmë ndonjë emër apo obligim të caktuar.

1. Humbja e memories
Harresa e informacioneve të mësuara kohët e fundit është një nga shenjat e hershme më të zakonshme të demencës. Një person fillon të harrojë më shpesh dhe nuk është në gjendje të kujtojë më vonë informacionin.

Çka është normale?
Harresa e kohë pas kohshme e emrave apo ndonjë obligimi të caktuar.

2. Vështirësitë në kryerjen e obligimeve familjare
Njerëzit me demencë shpesh e kanë të vështirë të planifikojnë ose kryejnë punët e përditshme. Disa mund të humbin aftësitë që kanë të bëjnë me përgatitjen e ushqimit, kryerjen e ndonjë telefonate apo loje të caktuar.

Çka është normale?
Është normale që ndonjëherë të harroni atë që deshët ta thoni ose pse shkuat në një dhomë të caktuar.

3. Problemet me gjuhën
Njerëzit me sëmundjen e Alzheimer shpesh harrojnë fjalë të thjeshta dhe i zëvendësojnë ato me fjalë të pazakonta gjatë bisedës. Për shembull, ata mund të mos jenë në gjendje ta gjejnë furçën e dhëmbëve dhe ta kërkojnë atë duke thënë: “ma sjell atë gjënë për gojën time”.

Çka është normale?
Harresa e kohë pas kohshme e emrave apo ndonjë obligimi të caktuar.

4. Dezorientimi në kohë dhe vend
Njerëzit me sëmundjen Alzheimer mund të harrojnë se ku janë, madje të humben në lagjen e tyre, të mos e dinë se si kanë arritur atje dhe të mos dinë se si të kthehen në shtëpi.

Çka është normale?
Harresa se ku jeni duke shkuar apo në cilën ditë të javës jemi.

5. Paaftësia për të marrë vendimet e duhura
Personat me Alzheimer mund të vishen në mënyrë të papërshtatshme, duke veshur rroba të trasha në një ditë të ngrohtë ose të vishen shumë hollë në ndonjë ditë të ftohtë. Ata madje mund të marrin vendime të gabuara dhe të japin shuma më të mëdha parash kur bëjnë ndonjë pagesë, apo mund ta humbin plotësisht aftësinë për të menaxhuar me financat.

Çka është normale?
Marrja e ndonjë vendimi të dyshimtë ose të diskutueshëm herë pas here.

6. Problemet me mendimin abstrakt
Personat me sëmundjen e Alzheimers mund të kenë vështirësi të pazakontë në kryerjen e detyrave komplekse mendore, duke harruar se çka janë numrat dhe si duhet të përdoren.

Çfarë është normale?
Ndonjëherë, vështirësia për t’i barazuar llogaritë financiare është krejtësisht normale.

7. Ngatërrimi i gjërave
Një person me sëmundjen Alzheimer mund të vendosë gjëra në vende të pazakonshme si p.sh: një hekur në frigorifer apo një orë dore në kuti sheqeri.

Çfarë është normale?
Ngatërrimi i çelësave me portofolin.

8. Ndryshimi i disponimit dhe sjelljes
Dikush me sëmundjen e Alzheimerit, pa ndonjë arsye të caktuar mund të tregojë ndryshime të shpejta të disponimit dhe sjelljes – nga qetësia deri në lotë dhe zemërim.

Çfarë është normale?
Ndjenja e mërzisë, disponimit të keq ose të ndryshueshëm, ndonjëherë mund të jetë krejt normal.

9. Ndryshimet në personalitet
Personaliteti i njerëzve me Alzheimer mund të ndryshojnë në mënyrë drastike. Ata mund të bëhen jashtëzakonisht të hutuar e konfuzë, me dyshime të shumta, të frikësuar ose të varur nga ndonjë anëtar i familjes.

Çfarë është normale?
Personaliteti i njerëzve mund ndryshojë paksa edhe nga mosha.

10. Humbja e iniciativës
Një person me sëmundjen Alzheimer mund të bëhet shumë pasiv, i ulur para TV-së me orë të tëra, të flejë më shumë se zakonisht dhe të mos dëshirojë t’i kryejë aktivitetet e zakonshme e të përditshme.

Çfarë është normale?
Ndonjëherë ndjenja e lodhshme e punës ose e detyrimeve sociale.

Agjërimi është i mirë për Alzheimer

Meqë jemi në muajin e Ramazanit, agjërimi i këtij muaji u bën mirë të prekurve me Alzheimer (në fazat e hershme). Agjërimi frenon përparimin e sëmundjes së Alzheimer-it dhe Parkinsonit.

Në përgjithësi, praktika tregon se spiritualiteti ndikon mirë tek të prekurit me Alzheimer. Ata mund të harrojnë shumëçka për shkak të sëmundjes, por shumë prej tyre nuk i harrojnë lutjet para gjumit apo ndonjë adhurim të caktuar, gjëra këto që ndikojnë pozitivisht në ngadalësimin e sëmundjes së Alzheimer.

Sëmundja e Alzheimer’s

Alzheimers është një sëmundje e cila mund të paraqitet në moshën e mesme apo të shtyer si pasojë e një çrregullimi të trurit. Është shkaku më i zakonshëm i një pleqërie të parakohshme, ndërsa emrin e mori nga neurologu Alois Alzheimer (1864–1915) i cili e identifikoi këtë sëmundje në fillimit të shekullit të 20-të më 1906.

Alzheimers është një sëmundje e ngadalshme e trurit por fatale e cila e prekë 1 në 10 persona të moshës 65 vjeçare, ndërsa askush nuk është imun prej saj. Kjo sëmundje nuk ka shërim, ndërsa e tëra që mund të bëhet përmes terapive të ndryshme është të ngadalësohet përparimi i shpejtë i sëmundjes.

Diagnostifikimi i Alzheimer
Nëse keni dyshime, është e rëndësishme të kërkoni një diagnozë mjekësore sa më shpejtë që të jetë e mundur. Ka shumë shkaqe dhe simptome të sëmundjes së Alzheimer, por ka edhe sëmundje tjera që mund të kenë simptome të njëjta, andaj duhet të keni kujdes e të siguroheni për simptomat e sakta e të mos shqetësoheni pa nevojë.

Terapitë të cilat sot janë në dispozicion kanë efikasitet të kufizuar dhe atë tek një numër i vogël i pacientëve të cilët e kanë zbuluar sëmundjen në fillimin e saj. Mbetet të punohet shumë që në të ardhmen të zhvillohen trajtime të reja që do ta ndryshojnë vet procesin e sëmundjes.

Diagnoza e hershme e sëmundjes, gjithashtu u mundëson njerëzve dhe familjeve të tyre që të marrin masa të menjëhershme që të përgatiten për shtimin e simptomave dhe përkeqësimin e gjendjes, duke jua mundësuar të bëni planifikimin e përshtatshëm për trajtim.

Edhe pse ka pasur përparime të konsiderueshme në metodat e diagnostifikimit të Alzheimer duke përdorur skanimet e trurit (edhe në fazën para klinike), megjithatë nuk ekziston ndonjë test që mund ta diagnostifikojë këtë sëmundje me 100% saktësi. Mjekët përdorin një sërë hulumtimesh dhe testesh laboratorike për të hulumtuar simptomat, por një diagnozë përfundimtare e Alzheimer është e mundur vetëm duke e skanuar trurin pas vdekjes.

Blog at WordPress.com.

Up ↑